Kreu i Komisionit të Rithemelimit, Belind Këlliçi, foli nga qendra e votimit për referendumin e thirrur nga Sali Berisha.

 

Këlliçi tha se ka një pjesëmarrje masive në procesin e votimit, siç nuk ka ndodhur kurrë në një proces të brendshëm të PD në këto 31 vite.

 

Sa i takon përplasjeve dhe kaosit në PD, Këlliçi deklaroi se “Është e vërtetë që ka një debat shumë të fortë në PD. Sigurisht që peshorja anon dukshëm nga njëra anë, nga ajo anë që kërkon hapjen e PD, kërkon një PD më të bashkuar. Unë në këto 12 vite të jetës sime aktive në PD, nuk kam parë kurrë radhë të tilla si sot në një proces të brendshëm të PD, dhe kurrë që qytetarët të qëndrojnë në radhë për të votuar. Keni parë demokratë që kanë ardhur me tesera të viteve 1990. Risia e këtij procesi votimi është që po rikthehen në PD dhe po marrin pjesë qëndrestarë, themelues, që kishin shumë vite pa qenë pjesë e PD.

Pala tjetër vazhdon t’i bjerë murit me kokë. Sot kemi parë skenarë shumë të shëmtuar, si ai te njësia nr.1, ku është hedhur vaj për të rrëshqitur demokratët. Kjo nuk i bëhet as armikut. Kemi parë skenarë si ai në Sarandë, ku është mbyllur selia, është kyçur, dhe komisioni është vendosur jashtë për të zhvilluar votimin. Ne sot kemi të rëndësishëm mbarëvajtjen e procesit. Me të mbaruar procesi, do jetë Kuvendi dhe Komisioni i Rithemelimit që do të vendosin për hapat e radhës. Duhet të dalë rezultati, ta presim me qetësi, për të parë çfarë do të ndodhë nesër”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *