Administratori i një klinike dentare dhe stomatologu janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi në klinikën ku punonin ofronin shërbime dentare, duke përdorur preparate të skaduara.
Gjithashtu janë proceduar penalisht 12 punonjës në klinikë.
Policia njofton se në Rrugën e Kavajës, në ambientet e subjektit me administrator shtetasin E. Z., që ofronte shërbime dhe punime stomatologjike dhe laboratorike si: terapi, ortodoncë, kirurgji, ura porcelani, proteza, implante dhe riparime të aparaturave dentare, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, një sërë preparatesh dhe materialesh dentare të skaduara.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan në flagrancë administratori i subjektit, shtetasi E. Z., 40 vjeç, dhe shtetasi K. M., 26 vjeç, të dy stomatologë në klinikë.
Ndaj tyre rëndojnë veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”./vizionplus.tv





