Kuvendi i Kosovës dështoi sërish. Deputetët nuk arritën të zgjedhin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb.
Në votimin e zhvilluar këtë të shtunë, asnjë prej kandidatëve të Listës Serbe nuk mundi të zgjidhej, madje as deputeti i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiç, i cili mori 56 vota pro një kundër dhe 20 abstenime.
Përpjekja e radhës ishte e fundit që Kuvendi votoi përmes shortit për të zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb.
Deputetët të shtunën kishin vetëm tri opsione. Në votim ishin dy deputetë të Listës Serbe, Igor Simiç e Miljana Nikoliç si dhe Nenad Rashiç.
Duke anashkaluar faktin se Kuvendi nuk ka nënkryetar nga komuniteti serb, kryetari Dimal Basha e shpalli të mbyllur seancën konstituive.
“Ne si Kuvend nuk kemi mundësi tjetër se si të vazhdojmë në lidhje me nënkryetarin që vjen nga pakica serbe, prandaj, në këtë rast, konsiderojë se e kemi ezaruar edhe pikën e katërt të rendit të ditës, konsideroj se kjo seancë konstituive është e mbyllur”, tha Dimal Basha.
Ndërkohë, Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, njoftoi se është ankuar në Gjykatën Kushtetuese kundër votimi për zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet pakicë gjatë seancës konstituive.
“Parimet kushtetuese dhe demokratike janë cenuar rëndë, ndërsa popullit serb i është pamundësuar ushtrimi i të drejtave të tij të garantuara”, thuhet në deklaratën e Listës.





