Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka ndodhur në Malin e Llogarasë, ku 22 kuaj të lirë janë qëlluar me armë gjahu, duke shkaktuar një masakër të vërtetë mbi këto kafshë të pambrojtura. Sipas denoncimeve të pronarëve dhe aktivistëve, katër prej kuajve kanë ngordhur menjëherë nga plagët e marra, ndërsa pjesa tjetër ndodhet e fshehur neper pyll disa te plagosur e disa ne nevoje urgjente per veteriner. Deri me tani pronaret nuk kane arritur ti lokalizojne kuajt pasi jane te traumatizuar te qelluar.
Pamjet e siguruara nga vendngjarja janë të rënda dhe tregojnë qartë barbarinë e ushtruar ndaj një tufe kuajsh që lëviznin të lirë në zonën malore. Sipas banorëve, ky nuk është rasti i parë që kafshët në këtë zonë goditen me armë, por masakra e fundit ka shkaktuar zemërim të madh publik dhe thirrje për ndërhyrje urgjente nga institucionet.
Sipas burimeve lokale, dyshimet e para lidhen me gjuetarë të paligjshëm që mund të kenë vepruar gjatë natës. Megjithatë, ekzistojnë gjithashtu dyshime se ngjarja mund të ketë lidhje me konflikte mes operatorëve që ofrojnë guida me kuaj, për shkak të konkurrencës në zonën turistike të Llogarasë.
Autoritetet janë njoftuar menjëherë pas ngjarjes, por deri tani nuk është marrë asnjë masë konkrete.
Aktivistët për mbrojtjen e kafshëve dhe komuniteti lokal kërkojnë hetim të plotë të rastit, ndëshkim për autorin dhe marrjen e masave ligjore për të mbrojtur kafshët e lira nga dhuna. Ata theksojnë se mungesa e reagimit institucional vetëm sa inkurajon përsëritjen e akteve të tilla mizore.
Kjo ngjarje ka rihapur debatin mbi mbrojtjen ligjore të kafshëve të lira në Shqipëri, rolin e autoriteteve në ndjekjen penale të autorëve të dhunës ndaj tyre dhe domosdoshmërinë për të vendosur kontrolle të rrepta mbi përdorimin e armëve të gjahut në zonat e mbrojtura.
/vizionplus.tv





