Flodian Plaku, i njohur edhe me nofkën “Pole Qorri”, është arrestuar këtë të diel nga forcat e policisë në zonën e Orikumit. 41-vjeçari nga Vlora është një nga personat e dyshuar për vrasjen e ish-policit Gentian Bejtja, ngjarje e ndodhur më 15 mars 2024 në Fushë-Krujë.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia, Plakut iu gjetën dy armë zjarri të tipit pistoletë. Sipas burimeve hetimore, ai ishte strehuar prej kohësh jashtë vendit, kryesisht në Greqi dhe Itali, ndërsa së fundmi dyshohet se po fshihej në Dubai për të shmangur ndjekjen penale.
Lexo edhe :
Gentian Bejtja u ekzekutua brenda rrethimit të banesës së tij, teksa ujiste perimet në kopsht, në prani të familjarëve. Plaku akuzohet si një nga tre autorët e dyshuar të atentatit, i cili dyshohet se është porositur pikërisht nga Dubai.
Kush është Flodian Plaku?
Emri i Flodian Plakut, që figuron edhe me mbiemrat Serjani dhe Mamo, është i njohur për autoritetet shqiptare. Ai dyshohet se ishte në krye të një grupi të strukturuar kriminal që trafikonte drogë nga Vlora drejt Italisë.
Plaku, i njohur edhe si Flodian Serjani, ishte arrestuar në vitin 2019 në Vlorë, si pjesë e një hetimi për trafik ndërkombëtar narkotikësh. Sipas hetimeve, grupi i tij ngarkonte gomone me kanabis në bregdetin shqiptar, për t’i transportuar më pas në Brindizi. Droga shpërndahej nga rajoni i Puglias drejt qyteteve të mëdha italiane si Roma, Napoli, Milano dhe Firence.
Për vrasjen e Gentian Bejtjas, ndaj Plakut ishte caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, më 26 korrik 2024. Ai akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”./vizionplus.tv






