Ky është momenti kur agjentët e BKH i shkuan në paraburgimin e Durrësit dhe i komunikuan kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj akuzat që rëndojnë mbi të, korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim të të ardhurave dhe futja e sendeve të paligjshme në qeli.
Për këtë vepër penale, i pandehur përfundoi edhe polici i burgjeve që, sipas SPAK i dha Veliajt celularin për të komunikuar gjatë kohës kur ishte në paraburgim.
Në orën 09:00 në prokurori u paraqit edhe bashkëshortja e kryetarit të bashkisë, Ajola Xoxa të cilës iu komunikua gjithashtu marrja e pandehur për tre akuza.
Ndërkohë hetimet për Erion Veliajn dhe Ajola Xoxën do të vazhdojnë deri në 29 shtator.
I përfshirë në dosje është biznesmeni, Elman Abule të cilit akuzat iu komunikuan një ditë më parë si dhe pesë sipërmarrës të tjerë.
Erion Veliaj u arrestua me 10 shkurt me urdhër të dy prokurorëve Altin Dumani dhe Olsi Dado nën dyshimet se kishte krijuar një skemë të mirëfilltë korrupsioni, vepër që ata dyshojnë se e ka kryer në 10 episode.
SPAK pretendon se korrupsioni kryhej përmes një rrjeti të komplikuar transaksionesh bankare dhe krijimit të disa shoqërive që kontrolloheshin direkt apo indirekt nga bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës për të qarkulluar para publike, në mënyrë që t’i bënin të ligjshme.
Ndërkohë po sot, për njërën prej zyrave që SPAK e dyshon se përdorej për pastrim parash, konkretisht “Galeria Harabel” e Ajola Xoxës, mori të pandehur edhe biznesmenin Mirton Lika.
Një javë më parë, Gjykata e Lartë i tha jo lirimit të tij nga qelia e paraburgimit të Durrësit. Tashmë beteja e tij për masën e sigurisë pritet të zhvendoset në Kushtetuese, ndërsa fatin e tij pas mbylljes së hetimeve do ta ketë në dorë Gjykata e Posaçme./vizionplus.tv





