“Në mes të sezonit turistik, Gjiri i Lalëzit, një nga zonat më të frekuentuara nga turistët, u përball me probleme me furnizmin me ujë. Shkak për këtë u bë një defekt në tubacionin kryesor të zonës. Ne pikën ku ndodhi problemi, aktualisht autoritetet po punojnë për ta riparuar atë. Por ndërhyrja e autoriteteve ndodhi pas një jave, çka do të thotë se për 7 ditë me radhë, banorët dhe bizneset e zonës ishin pa ujë.”
Bare e restorante që ofrojnë shërbim në zonën e plazhit pohojnë se problemin e furnizimit me ujë e kanë zgjidhur me puse, ndërsa banorët duke mbushur bidonë.
“U bënë disa ditë që kemi probleme me ujin. Sot thonë që është rikthyer. Unë punoj këtu, punoj te resortet. Ja kanë plotësuar nevojat duke blerë ujin. Situata përsëritet, është hera e tretë që ndodh kjo. Si është puna, nuk e dimë. Rrinte 2-3 ditë pa ardhur, më pas e rregullonin. Nuk është normale në këtë sezon, tani duhet uji, nuk e di.”
“Dje dhe pardje, dy ditë, 48 orë nuk kemi pasur ujë. Zgjidhjen e gjetëm me bidonat duke i mbushur andej-këtej, kishim edhe pak rezervë. Është rast i përsëritur, ka pasur problem pompat e ujit në Fushë-Kuqe.”
“Jemi në kulmin e sezonit, në pikën e vapës dhe imagjinoni një turist që sot të shkojë në dhomë për dush pas plazhit”, thotë Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar.
Pas një jave mungesë, Shoqëria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizime Durrës, njoftoi se furnizimi me ujë është rikthyer në normalitet. Por fakt ngelet që ky shërbim mungoi për shumë ditë, për më tepër që, që prej qershorit të vitit të kaluar, Shoqëria e Ujësjellës-Kanalizime Durrës ka aplikuar rritje të tarifës së ujit për familjarët dhe bizneset.
Mbase defekti u shkaktua nga faktorë të jashtëm, siç ishte tërmeti, por ndërhyrja në terren duhet të ishte më e shpejtë, për të shmangur probleme të tilla që veç të tjerash, prishin edhe imazhin turistik të Shqipërisë./vizionplus.tv





