Senatori dhe kandidati presidencial nga partia konservatore Centro Democrático, Miguel Uribe Turbay, ndodhet në gjendje kritike në një klinikë private në Bogotá, pasi u qëllua me armë zjarri të shtunën gjatë një fjalimi elektoral.
Sipas autoriteteve mjekësore të klinikës Fundación Santa Fe, ku po trajtohet 39-vjeçari, Uribe i është nënshtruar një ndërhyrjeje neurokirurgjikale dhe një operacioni në kqmbën e majtë, pas të cilave është transferuar në kujdesin intensiv. Gjendja e tij vazhdon të jetë shumë e rëndë dhe mjekët kanë dhënë një parashikim të rezervuar.
Lexo edhe :
Related Posts
Kryetari i Bashkisë së Bogotás, Carlos Galán, konfirmoi se senatori e ka kaluar operacionin, por “orët në vijim janë kritike për mbijetesën e tij”. Ngjarja ka tronditur skenën politike në Kolumbi dhe ka nxitur reagime të forta brenda dhe jashtë vendit.
“Dashuria e jetës sime, kthehu tek unë”, ishte mesazhi prekës i bashkëshortes së senatorit, María Claudia Tarazona, i postuar në Instagram. Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë lutjet për jetën e bashkëshortit të saj dhe falënderoi publikun për solidaritetin.
Në klinikë kanë mbërritur për të shprehur mbështetjen e tyre ish-presidentët Álvaro Uribe dhe César Gaviria, si edhe figura të tjera të njohura politike, përfshirë Ingrid Betancourt.
Sulmi ndodhi në lagjen Fontibón në perëndim të kryeqytetit, teksa Uribe po fliste në një aktivitet fushate. Pamjet filmike tregojnë një person që i afrohet nga pas dhe e qëllon disa herë, ndërsa më pas senatori rrëzohet. Autori i dyshuar, një 15-vjeçar, është arrestuar dhe hetimet janë në vijim.
/vizionplus.tv






