Opozita shfrytëzoi rinisjen e punës në komisionet e parlamentit për të denoncuar procesin elektoral të 11 majit.
Por interesi i deputetëve në këto javë të fundit të mandatit ishte i dukshëm.
Në komisionin e ligjeve nuk janë rizgjedhur 23 anëtarë nga 37 që ka komisioni së bashku me zëvendësuesit, dhe nga opozita në mbledhje morën pjesë vetëm 3 deputetë të cilët nuk do të jenë më në shtator.
“Në një vend ku nuk sigurojnë dot zgjedhje të lira e të ndershme dhe qytetarët të votojnë të lirë, nuk mendoj se ka vend që të mblidhemi si komision për të bërë ligje false, sa për dekor, për të thënë se jemi në një vend demokratik ndërkohë që në Shqipëri demokracia ka marrë fund, është instaluar diktatura”, tha deputeti demokrat Asllan Dogjani.
“Analizën e zgjedhjeve e bëjmë nëpër parti, nuk është komisioni i Ligjeve. Dua që të rrini te rendi i ditës”, tha kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka.
Alibeaj i cili nuk arriti të zgjidhet me Partinë Djathtas 1912 hodhi propozimin që parlamenti të mos mblidhet më pasi nga zgjedhjet ka dalë kuvendi i ri.
“Ne nuk jemi deputetë, tagrin për të përfaqësuar publikun shqiptar nga data 11 e këtej. E bëj këtë kërkesë si procedurë, e di fare mirë që mandati i këtij kuvendi shkon deri në 10 shtator, dhe se në këtë periudhë aftësia e deputetëve për të marrë vendime do të duhet të jetë e vetëkufizuar”, tha Alibeaj.
Pavarësisht propozimit të Alibeajt komisioni i ligjeve miratoi kalendarin e raportimit të institucioneve të pavarura ku bie në sy se drejtuesi i SPAK-ut Altin Dumani do të paraqitet në komisionin e ligjeve në 24 qershor.
Në të gjitha komisionet veçanërisht tek integrimi dhe media që drejtohen nga opozita, deputetët demokratë deklaruan se 11 maji ishte farsë elektorale./vizionplus.tv





