Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit Ilir Proda se bashkëpunon me bandat e krimit të organizuar. Gjatë prezantimit të programit të opozitës për rendin dhe sigurinë në vend, Berisha deklaroi se figurat e krimit të organizuar vendosin se çfarë do të ndodhë me policinë e shtetit.
“E vërteta është se sot në krye të Policisë së Shtetit është një bashkëpunëtor i bandave, një i emëruar i tyre. Ky drejtor Matriksi, edhe dje arrestuan një bashkëpunëtor të tij trafikant dhe u bë reprezalje tek oficerët e policisë që e arrestuan atë për lirimin e tij. Krimi urdhëron emërimin e drejtorëve, shkarkimin e tyre.”, tha Berisha
Por kryetari i PD sulmoi edhe drejtuesen e shërbimit informativ shtetëror për lidhje me Serbinë.
“E shkarkuar nga qeveria e vet për dyshime shumë serioze, bashkëpunime dhe të tjera. Vjen dhe merr me porosi të Vuçiçit, drejtimin e SHISH.”
Berisha premtoi se pas 11 majit nëse PD fiton zgjedhjet prioriteti i saj do të jetë lufta ndaj bandave kriminale.
“Ndaj dhe beteja jonë do jetë me një motiv: zero tolerancë. Kudo që të jenë, ta kenë të qarta, në Dubai apo Uganda, në Aruba apo Afrikë të Jugut, ata do gjenden, do arrestohen dhe do vihen para drejtësisë shqiptare.”
Sipas Berishës bandat kriminale ndikuan edhe në procesin e vetingut të gjyqtarëve e prokurorëve.
“Gjykatësit dhe prokurorët që u përballën dhëmb për dhëmb me krimin dhe u larguan nga detyra me vetingun gjueti shtrigash, ata që dhanë dënime përjetë për bandat e qeverisë socialiste, ata janë sot jashtë institucioneve si hakmarrje për ta. Kjo merr fund.”
Nga ana tjetër Berisha premtoi rritje pagash për të gjithë punonjësit e policisë së shtetit.





