Kryetari i Kuvendit të Kosovës në detyrë, Glauk Konjufca priti sot në takim përfaqësuesit e partive politike, në përgatitje të seancës konstituive në 15 prill. Në takim nuk morën pjesë përfaqësues të Listës Serbe.
“Në parlamentin e ri nuk do të ketë shumë ndryshime… LVV ende nuk e ka dhënë emrin për mandatin e kryetarit të Kuvendit. Kjo për arsye se të gjitha pozitat sa i përket përbërjes së re të mazhorancës, themelohet për të zgjedhur institucionet e tjera dhe njëra prej më të rëndësishme është ekzekutivi”, tha Konjufca.
Sa i takon formimit të qeverisë së re, Konjufca konfirmoi se Vetëvendosja ka kaluar në planin B, pas dështimit të planit A për mosarritjen e rezultatit të pritshëm në zgjedhje.
“Qeveria nuk është e mundshme vetëm… Kemi dërguar letër LDK, jo pa qëllim….”, tha ai.
Konjufca, njëkohësisht nënkryetar i Vetëvendosjes tha se janë vetëm dy skenarë.
“Ose formimi i një qeverie adfatshkurtër deri në zgjedhjen e presidentit ose një qeveri afatgjatë që do të mund të zgjedhë edhe presidentin”, tha Konjufca.
Deri më tani, asnjë nga partitë opozitare nuk ka shprehur hapur gatishmëri për bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje. I pyetur nga mediat, Konjufca nuk konfirmoi si të sigurta as partitë minoritare të cilat Vetëvendosja i kishte në koalicionin e katër viteve të fundit./vizionplus.tv





