Risi historike për Shqipërinë e quajti kryeminsitri Edi Rama luftën kundër korrupsionit si rezultat i reformës në drejtësi të mbështetur nga Partia Socialiste.
“Për herë të parë po ndodh që njerëz me pushtet politik thirren nga prokurorë të pavarur nga pushteti politik. Kush thotë se kjo s’ka lidhje me PS, nuk thotë të vërtetën, jemi unë dhe PS që e kemi sjellë këtë risi historike në jetën shqiptare. Që nga 1912, kur është ngritur flamuri pavarësisë dhe deri para pak ditësh në Shqipëri kurrë një person i lidhur me pushtetin politik nuk është hetuar dhe gjykuar nga një drejtësi e pavarur”, tha Rama.
Gjatë komunikimit në rubrikën online “Sy m’sy”, Rama nuk la jashtë opozitën.
“Nuk po ofendoj asnjëri unë po them realitetin, jemi përballë një kënete, ku mbretëron një buf kënete, ky është realiteti dhe për të kuptuar se çfarë kënete është ajo, të cilën do duhet ta gjykoni në 11 Maji, edhe që besoj se do t’iu mjaftojë për ta tharë, majftoni të shikoni listat e mbylluara, ato listat e mbyllura. Aty është këneta në listat e mbyllura”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shprehet i bindur se antarësimi në Bashkimin Europian do të mundësohet vetëm nga Partia Socialiste./vizionplus.tv





