“Të rinjtë e 11 majit”, kjo ishte tema e kësaj të enjteje në Quo Vadis të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus.
E ftuar në studio, Antuela Male, nga Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK), komentoi fletën e votimit, dhe mosvendosjen e numrit para kandidatit.
Male tha se arsyeja pse nuk u vendios numri përpara kandidatit u bë pasi në zgjedhjet e kaluara pati shumë fletë të pavjelshme për shkak të ngatërresave që ndodhën.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Si është kjo fleta e votimit? Si konsiderohet kjo fletë?
Male: Më lejoni tu them që formati i fletës së votimit vendoset nga komisioneri me vendim. Në atë fletë votimi garojnë 3 koalicione dhe 8 parti politike. Kjo është fleta më e ngarkuar. Qarku Tiranë ka numrin më të lartë të mandateve, për këtë arsye numri i kandidatëve është shumë i lartë. Më lejoni të them që nuk është hera e parë që përdoret një fletë e tillë, ka qenë pak më e vogël në 2021, ka qenë e njëjtë në 2017-të, për shkak të subjekteve të regjistruara. Është hera e parë që Shqipëria aplikon një sistem miks, ku 1/3 janë në listë të mbyllur, por pjesa tjetër është e hapur. Numri i kandidatëve në fletë votimi nuk është 37-të, por është 37-të plus ½. Pra 12 kandidatë janë në listë të mbyllur, ndërsa pjesa tjetër në listë të hapur. Ka patur diskutim për vendosjen e numrit pata kandidatit, por nuk është vendosur.
Borakaj: Unë mendoja që renditja do të ishte në bazë të alfabetit?
Male: Renditja është përcaktuar në Kod ku thuhet se fillon sipas gërmës së parë të mbiemrit. Mosvendosja e numrave është parë e drejtë nga KQZ dhe ka patur vetëm një ankesë nga PD dhe koalicioni i saj, por KAS nuk e pa të arsyeshme. Arsyeja që nuk u vendos ishte numri i lartë i fletëve të votimit në zgjehdjet e kaluara.





