Blloku i banimit në hyrje të Tiranës, që njihet ndryshe si “lagjja e Treshit”, po rehabilitohet. Të njëjtat investime, sipas kryebashkiakut Erion Veliaj, do të kryhen në çdo zonë të kryeqytetit.
“Fakti që jemi duke punuar në të gjithë Tiranën, nga lagjja e fundit e “Freskut” te lagjja e fundit e “Treshit”, në lagjen e fundit të “Kombinatit” dhe lagjet periferike të zonave rurale, do të thotë se jemi shtrirë cep më cep. Kemi mbaruar me punimet kryesore në shkollat, kopshtet dhe çerdhet e Tiranës, po ashtu me rrugët në qendër të Tiranës dhe në unazë. Lagjet ku po investojmë më shumë tani janë lagjet, të cilat janë kryesisht në zonat kufitare ose zonat e ish-komunave. Prandaj, i gjithë fokusi ka qenë te “Fresku”, te lagjja “Rilindja”, te Liqeni i Thatë, Kopshti Botanik dhe Kopshti Zoologjik. Më vjen vërtet mirë që kemi mbërritur në cepin më fundor të Tiranës”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Veliaj kërkoi mobilizim për të përfunduar punën para Vitit të Ri.
“Më në fund nuk kemi vetëm legalizim, kemi edhe urbanizim. Tani mund të themi që vërtet jetojmë në Tiranë, ku i kemi të dyja këto, edhe letrat e shtëpisë, edhe kushtet si në Tiranë. Ju jam shumë mirënjohës! Nëse do shfrytëzojmë maksimalisht ditët e festave, që ta kryejmë këtë për Vitin e Ri, kur thonë tironsit ‘që të na gjejë Viti i Ri, me rrugë të reja, me energji të reja’, do ishte e jashtëzakonshme”, tha Veiaj.
Këto investime, shtoi Erion Veliaj, përfshijnë edhe ndriccim LED, duke i bërë rrugët më të sigurta dhe në orët e vona të natës./vizionplus.tv





