Situata në Lindjen e Mesme bëhet çdo ditë e më e rënduar. Së fundmi ushtria izraelite ka bërë me dije se ka vrarë komandantin e lartë të grupit militant palestinez të Xhihadit Islamik ne kampin e refugjatëve Nur Shams në Bregun Perëndimor.
Po ashtu bombardimet izraelite në Gazën qendrore dhe veriore ditët e fundit kanë vrarë dhjetëra njerëz dhe ka bllokuar mijëra persona në shtëpitë e tyre, sipas zyrtarëve palestinezë.
Sakaq të paktën 22 persona u vranë dhe më shumë se 100 të tjerë u plagosën, pasi sulmet ajrore izraelite goditën zonat e banuara të Bejrutit qendror të enjten në mbrëmje.
Ndërsa luftimet e përgjakshme vijojnë një komision hetimor i OKB-së thotë se sulmet izraelite ndaj objekteve të kujdesit shëndetësor në Gaza, dhe trajtimi ndaj të burgosurve palestinezë, përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në raportin e tyre të fundit, hetuesit thonë se Izraeli ka kryer sulme të pamëshirshme dhe të qëllimshme ndaj personelit dhe objekteve mjekësore.
Ndër të tjera deklarohet se mijëra njerëz, përfshirë fëmijët kanë qenë pre e abuzimit sistematik, duke përfshirë torturat dhe përdhunimet.
Raporti zbulon gjithashtu se pengjet izraelite që mbahen nga grupi Hamas në Gaza janë dhunuar fizikisht dhe mendërisht.
Ndërkohë Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se SHBA do të “angazhohen intensivisht” për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
“Fokusi i SHBA-së, është parandalimi i përhapjes së këtyre konflikteve. Dhe ne po punojmë për këtë çdo ditë. Ne jemi duke punuar shumë fort përmes diplomacisë për të parandaluar që kjo të ndodhë. Ekziston gjithashtu një shqetësim i thellë që ndajmë për gjendjen e vështirë të fëmijëve, grave dhe burrave në Gaza”, tha Blinken.
Lufta nisi pas sulmit të të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, në të cilin rreth 1200 njerëz u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng. Ndërkohë rreth 42 mijë persona kanë humbur jetën në Gaza nga bombardimet izraelite./vizionplus.tv





