Në Durrës ka nisur Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor, në edicionin e parë, artistë nga gjithë bota janë bërë pjesë e saj. Kuratori Oltsen Gripshi e përshkroi këtë aktivitet si realizimin e një ëndrre të madhe, duke theksuar pjesëmarrjen e 40 artistëve nga 17 vende.
Në ceremoninë e hapjes, ku u ndanë edhe çmime, ishin të pranishëm ambasadorë, përfaqësues të institucioneve lokale, si dhe artdashës e intelektualë, përkrah artistëve që prezantuan veprat e tyre.
Tema e bienales, “Inteligjenca Artificiale dhe e Ardhmja Hibride”, u ofroi artistëve një mundësi të shkëlqyer për të shprehur talentin e tyre dhe për të përcjellë mesazhe domethënëse.
“Kjo është hera e parë që vij në Durrës. Gjyshi im nga nëna i përket familjes së Kastriotit, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Kështu që megjithëse nuk e kam njohur, është si një rikthim në shtëpi. Jam shumë e emocionuar sepse më kanë folur shumë në shtëpi. Ruaj ende këtë medalion që besoj se ka 7 shekuj. Kam marrë pjesë në shumë bienale. 3 herë në Venecia, në Qipro një vit më parë ku jam nderuar dhe me çmim. Kjo bienale është një event mjaft i rëndësishëm, ku artistët njihen me njëri-tjetrin, por edhe zbulohen qytete të rinj”, thotë Rosa Mundi, artiste nga Italia.
Krijimet e artit janë vendosur në disa nga institucionet më të rëndësishme dhe monumentet historike të Durrësit, si Amfiteatri Romak, Kulla Veneciane, Forumi Bizantin dhe Hamami Mesjetar. Kjo bienale, e para e këtij lloji në Shqipëri, do të qëndrojë e hapur deri më 24 nëntor. /vizionplus.tv





