Shkolla e vjetër 9-vjeçare “Avni Rustemi” po rikonstruktohet nga e para, me cilësi dhe kushte më të mira për nxënësit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi ecurinë e punimeve dhe tha se shkolla e re do të jetë një nga shkollat më të mira në Shqipëri.
“Shumë vetë nuk e dinë që kjo është shkolla që ka prodhuar më shumë talente në basketboll. Kjo është arsyeja pse do shtojmë edhe një palestër, por fillimisht, në shtator, do të jemi gati për ndërtesën e madhe. Nga 650 nxënës me dy turne, shkolla do të presë 850 nxënës me një turn. Duke qenë se kemi një pjesë të lagjes të vjeter, por shoh përballë edhe një pjesë të lagjes së re, çka do të thotë se lagjja do vijojë të shtohet me banorë. Është një ndër lagjet më të frekuentuara nga turistët me AirBnb, pra është shtuar levizja e mjeteve, konsumi i ujit i mbetjeve. Këtë verë do të hapim disa shkolla të reja: rihapet “Musine Kokalari” pas tërmetit, totalisht e rindërtuar me financimin nga Bashkimi Evropian; hapet “Xhezmi Delli”, po ashtu edhe “Myslym Keta”, tha Veliaj.
Në fund, Velaj u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës të tregohen të mirëkuptueshëm, në mënyrë që ekipi i terrenit të punojë me ritme të shpejta këto dy muaj vere./vizionplus.tv





