Procesi i votimit per shkarkimin e katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës ka dështuar, pasi pjesëmarrrja ka qenë shumë e ulët.
Të gjitha qendrat e votimit u hapën në orën 7 të mëngjesit dhe pritet të mbyllen në orën 19:00.
Lexo edhe :
Deri në orën 15:00 votuan vetem 200 qytetarë në Leposaviq, Zubin-Potok e Mitrovicë të Veriut. Por, asnjë nuk doli të votojë në Zveçan
“Numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 15:00 është si në vijim.. Në Leposavic 122 votues, në Zubin Potok 17, në Zvecan asnjë dhe në Mitroviceë të Veriut 64 votues”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Ndërsa të drejtë vote në këtë proces kishin 46.556 qytetarë në katër komunat.
Në mënyrë që votimi të ishte i suksesshëm duhet të votonin , minimalisht, 50% + 1.
Nëse përmbushej ky kusht, atëherë brenda afateve ligjore do të mbaheshin zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Deshtimi i procesit erdhi pasi Lista Serbe u bëri thirrje qytetarëve te bojkotonin votimin.
Kryetarët serbë në nëntor të vitit 2022 dhanë dorëheqjen nga këto katër komuna pas vendimit të qeverisë për targat.
Më pas më 23 prill 2023 u mbajtën zgjedhje në këto komuna për kryetarët e rinj, por pjesëmarrja ishte e ulët. Procesi u bojkotua nga Lista Serbe dhe qytetarët serbë.
Këto votime nxorën fitues kandidatët shqiptarë të PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Por me kërkesë të ndërkombëtarëve, ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal hartoi një udhëzim administrativ, i cili parashikon procedurat se si duhet të shkohet në zgjedhje përmes peticionit./vizionplus.tv






