Lacio mori një fitore të rëndësishme në derbin e vogël ndaj Frosinones, të vlefshëm për javën e 29-të të kampionatit. Sukses i rëndësishëm mbi të gjitha për të kthyer qetësinë në klub në ditë të vështira kur skuadra mbeti edhe pa trajner pas dorëheqjes së Sarrit.
Ndeshje e bukur në stadiumin “Benito Stirpe”. Të zotët e shtëpisë kaluan të parët në avantash me anë të Lirolës në minutën e 13. Për të barazuar shifrat mendoi Xakanji në minutën e 38 për miqtë.
Në pjesën e dytë protagonist i madh do të bëhej Kastelanos. Sulmuesi i Lacios shënoi golin e dytë të miqve vetëm pak sekonda pasi ishte futur në fushën e lojës. E jo vetëm kaq, por 4 minuta më vonë realizoi edhe golin e dytë personal.
U duk një ndeshje e mbyllur mirëpo Kedira pak më vonë rihapi gjithçka duke e ndezur ndeshjen në minutat e fundit. Frozinone bëri gjithçka për të marrë një pikë por nuk mundi të shënonte. Humbje që djeg për Frozinonen pasi mbetet në zonën e ftohtë të klasifikimit.
Ndërsa Lacio mbetet në lojë për një vend në kupat e Europës edhe pse misioni është shumë i vështirë. Megjithatë fitorja kthen qetësinë duke pritur edhe nisjen e punës së trajnerit të ri Igor Tudor.





