Rënia e ndjeshme e vaksinimit për fruth-rubeolën tek fëmijët po shfaq pasojat e paralajmëruara nga bluzat e bardha.
Mjekët bëjnë të ditur se janë identifikuar tre rastet e para të infektimit për këtë vit ndërsa pacientët gjenden në shërbimin e pediatrisë në Tiranë.
Lexo edhe :
“Kemi një lloj frenimi të vaksinimit pas pandemisë dhe kjo përbën rrezik. Personat që janë të pavaksinuar janë shumë më pak se ata që janë të vaksinuar por pavarësisht se nuk janë në masë, ata mund të përhapin infektueshmërinë. Kemi patur raste edhe vitin e kaluar”, thotë mjeku infeksionist Gentian Stroni.
Niveli i mbulesës vaksinale për fruth-rubeolën, pas pandemisë nga 95% ka arritur 89%. Edhe pse është e detyrueshme marrja në dy doza në moshën 1 dhe pesë vjeçare, ka patur pakujdesi jo vetëm nga prindërit por edhe në institucionet arsimore, kryesisht në rrethe.
Sakaq, edhe në Europë është shënuar rritje e rasteve me këtë infeksion i cili sipas mjekëve karakterizohet nga infektueshmëria e lartë dhe shfaq temperaturë të lartë, pneumoni, shurdhim, dëmtime të trurit të parikuperueshme deri edhe vdekje.
Për këtë arsye, organizata botërore e shëndetësisë ka përsëritur thirrjet për marrjen e të dyja dozave të vaksinës që garantojnë deri 97% efektshmëri parandalimi. /vizionplus.tv






