Në javën e fundit të fushatës elektorale, kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj vijoi sulmet ndaj dy figurave kryesore të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Në një takim që pati me banorët e Farkës, Petrelës dhe Baldushkut, Veliaj akuzoi Metën dhe Berishën se kërkojnë fitoren vetëm për të mbrojtur veten e tyre përballë drejtësisë.
ERION VELIAJ
KRYETAR I BASHKISE TIRANE
“Ne e kemi standardin shumë lart për një polic, për një zjarrfikës, për një mjek, për një doktoreshë, për një ushtar, për një oficer, madje edhe për fëmijët, kurse e kemi standardin shumë poshtë për fuksin e lagjes, për Ilir Metën, dhe ish komunistin Sali Berisha. Ata për 4 vite ishin te Gjiri i Lalzit, nuk e vunë ujin në zjarr fare për hallet tona. Por, kush mungoi 4 vjet, të dielën do ngelin në klasë.”
Sipas kryebashkiakut aktual të Tiranës, qytetarët më 14 maj duhet të votojnë për Partinë Socialiste, nëse mendojnë për problemet e tyre.
ERION VELIAJ
KRYETAR I BASHKISE TIRANE
“Mos ia qani hallin Saliut dhe Ilir Metës, mendoni për fëmijët. Nëse fëmijët kanë një çerdhe më të mirë dhe Partia Socialiste e ka bërë, na jepni votën që të ecim përpara. Nëse sot kanë një shkollë më të mirë dhe kjo forcë politike e ka bërë, na jepni votën që të ecim përpara. Nëse ju si demokratë punoni gjithashtu tokën, jetoni me ne, kaloni te e njëjta autostradë, punoni të njëjtën tokë, do shisni te i njëjti treg, do çoni fëmijët te e njëjta shkollë bashkohuni me familjen tonë se kur jemi bashkë jemi më të fortë dhe ecim përpara.”
Erion Veliaj premtoi se nëse i besohet një mandat i tretë, do të vijojnë projektet tranformuese për kryeqytetin.





