Një shpërthim i fuqishëm tronditi zonën e Komunës së Parisit në Tiranë mbrëmjen e së premtes.
Një sasi rreth 100 gramë tritol ishte vendosur në automjetin luksoz tip ‘Range Rover’ në pronësi të ish-noteres, Rezarta Koçi.
Siç duket edhe nga pamjet, automjeti mori dëmtime te mëdha, por fatmirësisht nuk pati të lënduar. Mjeti ishte i parkuar në momentin e shpërthimit.
Dyshohet se shpërthimi lidhet me punën si notere, që Rezarta Koçi ushtronte deri para pak kohësh.
Në vitin 2020, asaj iu hoq licenca pas denoncimit të një qytetari. Ish-noterja kishte abuzuar me llogarite bankare të klientëve.
Një ankesë e mbërritur me email në ministrinë e Drejtësisë, bëri që ky institucion të fillonte të hetonte Rezarta Koçin në vitin 2020. Ministria e Drejtësisë, me urdhër të ish-ministres Etilda Gjonaj, vendosi të niste procedim penal dhe të hiqte licencën.
Rezarta Koçi është një emër i njohur, pasi ka shërbyer si asistente e ish-ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi.





