Dëshironi një “Transformer” të vërtetë ? Kjo kompani turke ka krijuar një prototip plotësisht funksional.
E keni pyetur ndonjëherë veten se si do të dukeshin robotët që transformohen nëpër filma, në jetën reale? Kompania ‘Letvision’ zbuloi një robot që transformohet nga një BMW seria 3. Letrons, siç u quajt edhe prototipi, kontrollohet me anë të një telekomande nga distanca dhe mund të shihet në video kur lëviz dhe transformohet. U desh një ekip prej 12 inxhinierësh dhe 8 muaj për t’a kompletuar prototipin.
Në video, shihet qartë një operator që përdor telekomandën për të lëvizur mjetin e më pas fillon transformimin e makinës në robot. Nga një BMW fillon e shndërrohet dalëngadalë në një robot që qëndron në këmbë. Operatori tregon edhe veprimet e robotit duke i lëvizur kokën dhe krahët.
Nuk ka ende informacione se sa këto ‘Transformers’ mund të kushtojnë ose kur do mund të jenë në dispozicion për blerje. Por kompania tha se është duke planifikuar një linjë të plotë prodhimi, ku do të shihen edhe karakteristika të tjera të këtyre robotëve.





