Braktisja e fëmijëve të mitur vijon të mbetet një fenomen shqetësues, me pasoja të rënda sociale dhe psikologjike për fëmijët që përjetojnë ndarjen nga prindërit.
Sipas të dhënave të Policisë së Elbasanit, gjatë dy viteve të fundit në prokurori janë referuar 14 raste të veprës penale “Braktisja e fëmijës së mitur”.
Megjithatë, specialistët ngrenë shqetësimin se jo çdo rast denoncohet apo përfundon në institucionet e drejtësisë.
Por pas statistikave fshihen histori të vështira familjare. Një prej tyre është ajo e 40-vjeçarit Ismail Ramazani, i cili kujdeset i vetëm për katër fëmijët e tij të mitur, njëri prej të cilëve me aftësi të kufizuara. Ai tregon se bashkëshortja është larguar disa herë nga familja, duke i lënë fëmijët pa kujdesin e nënës.
Psikologja e Gjykatës së Elbasanit, Eriona Hoxha, thotë se shkaqet e braktisjes së fëmijëve janë të ndryshme, duke nisur nga problemet ekonomike e sociale, konfliktet familjare, deri te ndarjet e lidhura me marrëdhënie të reja apo motive pasioni.
Ajo thekson se pasojat më të rënda i vuajnë fëmijët, të cilët e përjetojnë largimin e prindit si një humbje të përhershme.
Edhe pse një pjesë e rasteve i përkasin familjeve vulnerabël, fenomeni nuk kufizohet vetëm te kjo kategori.
Ndaj specialistët e fushës përcjellin mesazhin se vendimi për t’u bërë prind duhet të shoqërohet me përgjegjësi të plotë, pasi çdo zgjedhje e pamenduar paguhet më së shumti nga fëmijët.





