Analisti Martin Leka, i ftuar mbrëmjen e sotme në Quo Vadis të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, e ka cilësuar paradoksale situatën në Shqipëri.
Sipas tij, në njërën anë është opozita që akuzon qeverinë, ndërsa në anën tjetër në Bruksel mbyllen grupkapitujt e negociatave.
Për analistin, Shqipëria ka nevojë, si fillim, për demokratizimin e partive politike, në mënyrë që forcat kryesore të mos jenë më parti të kryetarëve.
Pjesë nga biseda:
Leka: Kemi një paradoks. Nga njëra anë është opozita që akuzon qeverinë për narkoshtet, ndërsa nga ana tjetër në Bruksel mbyllen tre grupkapituj. Jemi në një kohë kur, në vitin 2030, nuk do të na tregojnë më me gisht.
Paradoksi tjetër është se këtu errësohet çdo gjë e bërë në 13 vjet. Kemi instaluar një politikë ku nuk i quajmë kundërshtarë, por armiq ata që mendojnë ndryshe.
Kemi një parti kryesore opozitare. Më vjen mirë për zotërinë që është nënkryetar i PD-së dhe shpresoj shumë që njerëz të tillë ta kenë realisht PD-në e vërtetë dhe normale. Por paradoksi është që opozitën e udhëheq një njeri “non grata”, një njeri që prej 35 vitesh nuk e lëshon PD-në dhe që, me sa duket, nuk ka gjasa ta lëshojë për sa kohë të jetë gjallë.
Në këtë aspekt, unë mendoj se reformat duhet të nisin nga demokratizimi i PS-së dhe PD-së. Sigurisht që edhe PS-ja duhet të bëjë reforma, pasi, për hir të së vërtetës, partitë në Shqipëri janë parti të kryetarëve.
Borakaj: Duhet të dëgjojnë Spiropalin?
Leka: Spiropalizimi i politikës është tjetër gjë. Spiropalizimi është një apendiks, si ajo barcaleta për ata skraparlinjtë e inatosur.
Borakaj: Ata bënë parti më vete.
Leka: E njëjta gjë do të ndodhë. Ajo tani është mbi kalin e Skënderbeut. E kam fjalën që këtu duhet të fillojë demokratizimi i partive shqiptare.





