Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë vijon të mbetet një nga atraksionet kulturore më të vizituara, duke tërhequr gjatë gjithë vitit një numër të lartë turistësh vendas dhe të huaj.
Vizitorët zgjedhin të njihen nga afër me një prej koleksioneve më të pasura të artit ikonografik bizantin dhe pasbizantin në Shqipëri.
Anastasia është një vizitore nga Ukraina e cila së bashku me bashkëshortin e saj Aytek ka zgjedhur që të njihet me koleksionin e rrallë të ikonave që mbart muzeu.
“Unë jam Anastasia dhe vij nga Ukraina. Është hera e parë që vijmë në Shqipëri. Është një vend shumë, shumë i bukur. Burri im ka prejardhje shqiptare. Nëna dhe gjyshi i tij janë me origjinë nga Shqipëria. Para shumë vitesh ata u shpërngulën në Stamboll. Tani burri im dëshiron të mësojë më shumë për Shqipërinë dhe të njohë këtë vend. Ai po mëson edhe gjuhën shqipe. Na pëlqen shumë, shumë Shqipëria. Muzeu është shumë i bukur, me një histori të pasur dhe mjaft interesante. Na pëlqen shumë të vizitojmë muzetë”.
Nga janari e deri në qershor këtë muze e kanë vizituar rreth 16 mijë turistë, ku pjesa më e madhe kanë qenë të huaj.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar administron mbi 8 mijë objekte të trashëgimisë kulturore, mes tyre mijëra ikona të krijuara nga shekulli XIII deri në shekullin XX, si dhe objekte liturgjike me vlera të rralla historike e artistike.





