Pas videos ku tre vajza shfaqeshin duke dhunuar një bashkëmoshatare në Fier, në rrjetet sociale është publikuar një tjetër regjistrim që lidhet me goditjen dhe bullizmin ndaj 17 vjeçares. Në pamjet e reja, adoleshentja shfaqet duke u detyruar të kërkojë falje, në gjendje të rëndë psikologjike.
Videoja është marrë edhe nga hetuesit si provë që tregon se dhuna ndaj të miturës ishte e planifikuar, e shtrirë në kohë e madje edhe e paramenduar për tu publikuar online.
Një ditë më parë, nëna e 17 vjeçares tha se vajza është në gjendje të rëndë, dhe vazhdimisht ndihet e frikësuar.
Ndërkohë, për dy nga vajzat që shfaqen duke ushtruar dhunë ndaj adoleshentes janë ngritur pretendime se vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Kjo është pohuar publikisht nga nëna e njërës prej tyre, e cila ka publikuar edhe një dokument mjekësor të muajit prill, si provë të gjendjes shëndetësore të së bijës.
Sipas saj, familja nuk ka mundësi ekonomike për të përballuar trajtimin e specializuar, ndaj u bën apel institucioneve shtetërore të ofrojnë mbështetje për kujdesin mjekësor dhe psikologjik të vajzës.
Nga ana tjetër, Policia ka bërë të ditur se më 28 qershor u arrestua njëra prej të miturave të përfshira në këtë rast, pas një kallëzimi të bërë nga nëna e saj, e cila deklaroi se ishte dhunuar fizikisht nga vajza.
Prokuroria e Fierit ka regjistruar procedim penal ndaj tre vajzave të përfshira, pas ngjarjes, për veprën penale të heqjes së paligjshme të lirisë, të kryer në bashkëpunim.





