Marina Orikum u kthye edhe këtë vit në portën mikpritëse të një prej eventeve më prestigjioze të lundrimit në Mesdheun Lindor.
Në datat 3 dhe 4 korrik, regata Ndërkombëtare “Brindisi–Vlorë” solli në brigjet shqiptare 50 varka me vela dhe rreth 600 velistë, duke e shndërruar Gjirin e Vlorës në një arenë të sportit, turizmit dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë.
E organizuar nga Lega Navale Italiana dhe seksioni i Barit, regata përshkoi rreth 70 milje detare nga Brindisi drejt Vlorës, duke konfirmuar edhe një herë traditën që prej vitesh forcon lidhjet mes Italisë dhe Shqipërisë përmes sportit, turizmit dhe kulturës detare.
“Është një edicion i veçantë, i pesëmbëdhjeti me radhë. Janë shifra të rëndësishme, që tregojnë gjithnjë e më qartë se sa e rëndësishme është kjo regatë. Këtë vit u regjistruan 47 pjesëmarrës, por era bëri pjesën e saj, pasi era dhe deti frikësuan disa ekuipazhe, të cilat u detyruan të tërhiqeshin që në nisje. Megjithatë, në fund mbërritën 36 ekuipazhe dhe pati shumë konkurrencë. Ky ishte një edicion i veçantë edhe për kohën që iu desh fituesit të arrinte në finish: pak më shumë se pesë orë, një rezultat që përbën një ngjarje të rëndësishme”, tha Gianluca Fischetto, president i Lega Navale Italiana-Brindizi
“Brindisi–Vlorë, edicioni i pesëmbëdhjetë i regatës, regata e Grande Salento-s. Çfarë të them? Është diçka e mrekullueshme. Kemi arritur në edicionin e pesëmbëdhjetë dhe kjo do të thotë se lidhja që është krijuar vazhdon, ekziston dhe ecën përpara. Nuk mund të ketë sport më të bukur se vela për të përfaqësuar miqësinë dhe afërsinë mes këtyre dy brigjeve të detit tonë, Midis Shqipërisë dhe Italisë, midis Pulias dhe Vlorës”, u shpreh Achille Provenzano, konsulli i Italisë në Vlorë
Në mbrëmje u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve, me velistët që u ngjitën njëri pas tjetrit për të marrë në duar trofetë, mes duartrokitjesh për spektaklin e dhuruar.
I pranishëm në këtë event ishte edhe ministri Gonxhja, i cila tha se shumë shpejt mund të ketë edhe një regatë Brindisi-Vlorë-Sarandë.
“Jo vetëm të respektojmë traditën e regatës brindisi–vlorë, duke i afruar edhe më shumë dy brigjet, por edhe të mendojmë për një regatë brindisi–vlorë-sarandë , dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt. Do t’ju presim me të njëjtin entuziazëm, në kushte që së shpejti do të jenë pjesë e një zhvillimi të ri të këtij grupi që punon për këtë marinë. Turizëm, kulturë dhe sport – këtë e thotë edhe vetë emri i ministrisë, ndaj nuk ka nevojë për asnjë përkthim. Jemi shumë të lumtur dhe krenarë që jemi këtu dhe që jemi bashkë”, tha Blendi Gonxhja, ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Pas ndarjes së çmimeve, vijoi mbrëmja festive për velistët dhe të ftuarit.
Në skenë u ngjitën dy emra të njohur të muzikës shqiptare, Kastriot Tusha dhe Ardian Trebicka si të ftuar specialë që interpretuan për sportistët, vizitorët dhe komunitetin e lundrimit.
Për Marina Orikum, aktivitete të tilla forcojnë pozicionimin e saj si një destinacion që ofron më shumë se peizazh dhe infrastrukturë moderne.
Marina Orikum tashmë është bërë destinacion modern i nautikës shqiptare, duke konfirmuar edhe një herë rolin e saj si qendra pritëse e këtij eventi me rëndësi ndërkombëtare.





