Në Gjykatën e Tiranës ka nisur seanca për verifikimin e masës së arrestit në flagrancë ndaj 21 qytetarëve të ndaluar pas protestës së 2 korrikut para Kuvendit. Jashtë godinës së gjykatës u mblodhën qytetarë mbështetës të protestës, të cilët kërkuan lirimin e të arrestuarve me thirrje dhe pankarta.
Arrestimi i tyre u bë shkak edhe për përshkallëzimin e tensioneve në protestën kombëtare të zhvilluar një ditë më parë në Tiranë. Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit nisën marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit, ndërsa situata doli jashtë kontrollit pranë Komisariatit nr. 3 në rrugën “Mine Peza”, ku mbahen personat e arrestuar.
Rreth orës 23:45, një grup protestuesish, mes tyre edhe persona të maskuar, goditën godinën e komisariatit me gurë dhe sende të forta, duke dëmtuar xhamat. Më pas ata shqyen derën hyrëse, ndërsa disa prej tyre hynë në ambientet e pritjes së komisariatit.
Protestuasit e arrestuar qe pritet të njihen sot me masën e sigurisë, akuzohen për 7 vepra penale shkatërrim prone, kundërshtim të punonjësit të policisë, goditje për shkak të detyrës, prishje të rendit dhe qetësisë publike, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme, mosbindje ndaj urdhrit të ligjshëm të policisë, si dhe pengim të qarkullimit të mjeteve.
Kujtojmë se protesta e 2 korrikut para Kuvendit ishte e para gjatë këtij muaji që u shënuan përplasjet mes qytetarëve dhe policisë.





