Mes sezonit turistik dhe përpara syve të pushuesve të huaj, aksioni i Bashkisë Lezhë për lirimin e hapësirave publike në plazhin e Shëngjinit ka shkaktuar reagime të forta nga bizneset, të cilat pretendojnë se janë dëmtuar pavarësisht se disponojnë lejet dhe kanë shlyer të gjitha detyrimet.
Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Bashkia Lezhë ndërmori një aksion për lirimin e hapësirave publike, gjatë të cilit u sekuestruan dhjetëra shezlongë dhe çadra të vendosura në bregdet. Një prej biznesmenëve e cilësoi ndërhyrjen të pajustifikuar, duke deklaruar se aksioni u zhvillua pa asnjë njoftim paraprak.
Ai ngriti shqetësimin se ndërhyrje të tilla dëmtojnë imazhin e turizmit dhe penalizojnë subjektet që respektojnë rregullat.
Nga ana tjetër, Bashkia Lezhë sqaroi se kontrollet nisën pas përfundimit të afateve për pajisjen me kontrata dhe lejet përkatëse.
Aksioni në fjalë thonë autoritet lokale synon garantimin e aksesit të lirë të qytetarëve në bregdet.





