Të paktën 3 grupe kriminale janë goditur nga Antidroga e Tiranës, operacion që çoi në arrestimin e 15 personave.
14 prej tyre u lanë në qeli, ndërsa për Fabiola Gjonçajn, gjykata vendosi arrest në shtëpi. Agjentët e policisë kanë identifikuar edhe 5 persona të tjerë, të cilët janë në kërkim.
Këta persona, të ndarë në tre grupe kriminale, prej kohësh shisnin lëndë narkotike, kanabis, kokainë, por dhe lloje të tjera lëndësh narkotike në vende të ndryshme të kryeqytetit. Dy prej pikave ku shitej droga ishin edhe gjimnazi Partizani dhe Çajupi.
Hetimet Antidroga i nisi 3 muaj më parë, kur agjentët u përfshinë si të infiltruar, duke porositur sasi lëndësh narkotike. Trafikantët funksiononin edhe si furnizues për disa bazave të tjera kriminale.
Babë e bir, Artur dhe Rubin Meta prej të paktën dy vitesh kishin një kontroll të fortë në një prej grupeve të goditura në këtë operacion. Madje në rolin si furnizues, ata shfrytëzonin dhe lokalin e tyre në afërsi të Medresesë për shpërndarjen e drogës.
Në këtë operacion, njërit prej të arrestuarve iu gjet një pistoletë, ndërkohë policia zbuloi dhe disa ambiente të përshtatura për organizimin e lojërave të fatit.
Në total, policia sekuestroi 220 gramë kokainë të ndara në doza, qindra doza kanabisi gati për shitje, 2 tavolina pokeri si dhe 2.300.000 lekë të rinj.
Ky operacion lidhet me disa aksione të tjera policore ku janë arrestuar më herët janë arerstiar 7 persona për shitje të lëndëve narkotike.





