Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Rusia është e gatshme të rifillojë bisedimet me Shtetet e Bashkuara për luftën në Ukrainë dhe se po pret ardhjen e përfaqësuesve amerikanë për të vijuar negociatat.
Sipas Putinit, këto bisedime mund të rinisin pasi Uashingtoni të ketë më pak fokus në zhvillimet që lidhen me Iranin. Ai tha se palët kanë pasur më herët takime në Moskë dhe se Moska është e hapur për diskutime “për të gjitha detajet” që lidhen me konfliktin.
Deklaratat u bënë në një intervistë për një gazetar rus, të publikuar nga Kremlini, ku Putin iu referua edhe qëndrimeve të fundit të presidentit amerikan Donald Trump në samitin e G7 në Francë.
Trump kishte deklaruar se Rusia duhet të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, që nisi në shkurt të vitit 2022, duke paralajmëruar edhe mundësinë e rikthimit të sanksioneve ndaj Moskës.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov akuzoi administratën amerikane se po largohet nga roli i ndërmjetësit të paanshëm dhe po ndjek një linjë më të ashpër me presion dhe sanksione ndaj Rusisë.





