Pas më shumë se 8 orësh përpjekje intensive të Policisë dhe shërbimeve të tjera, në një terren të thepisur dhe me rrezik për jetën, 4 turistë polakë u shpëtuan në kanionin e Gjipesë.
4 turistë polakë, gjatë eksplorimit të kanioneve, kishin rënë në një greminë dhe si pasojë, njëri prej tyre ishte dëmtuar.
Për shkak të terrenit të vështirë, në këtë operacion kërkim-shpëtimi, në ndihmë të shërbimeve të Policisë vendore, u angazhuan shërbimet e DELTA Forcës, helikopteri i Forcave të Armatosura, alpinistë të zonave të mbrojtura, zjarrfikës dhe ekip mjekësor.
Helikopteri i Forcave të Armatosura nuk mundi të futej në vendin ku ndodheshin turistët dhe operacioni vijoi nga shërbimet e Policisë, zjarrfikësit dhe alpinistët.
Pas shumë kërkimesh dhe përpjekjesh intensive, turistët u evakuuan 2 nga 2 dhe rreth mesnatës, përfundoi me sukses operacioni për kërkim-shpëtimin e tyre.
Turisti i dëmtuar mori menjëherë ndihmën e nevojshme dhe është jashtë rrezikut për jetën, ndërkaq 3 turistët e tjerë u evakuuan në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë edhe Policia e Maliqit, në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, ka bërë të mundur gjatë mesnatës gjetjen dhe shpëtimin e 41-vjeçarit Drilon Agolli, i cili kishte rënë nga një shkëmb në zonën malore të Gopeshit, në njësinë administrative Moglicë.
Sipas burimeve, Agolli kishte pësuar plagë të rënda në trup si pasojë e rrëzimit. Për shkak të terrenit të vështirë, transportimi i tij u krye fillimisht me barelë nga efektivët e policisë dhe zjarrfikësit, ndërsa më pas u dërgua me ambulancë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po merr mjekim të specializuar.
Burimet bëjnë me dije se 41-vjeçari kishte dalë në mal për të mbledhur çaj mali dhe bimë medicinale, aktivitet që e ushtronte prej vitesh.





