Për 26 ditë me radhë, qytetarët shqiptarë vijojnë të protestojnë përballë Kryeministrisë. Por çfarë ka arritur kjo protestë deri tani? Sa janë arritur qëllimet e protestuesve?
Kjo ka qenë pyetja e sotme e drejtuar nga moderatorja Pranvera Borakaj në emisionin “Quo Vadis” në Vizion Plus, ndaj deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi.
Deputeti i Lëvizjes Bashkë theksoi se protesta po tregon konsistencë dhe ka tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve.
Ai theksoi se shpreson që kjo protestë të sjellë dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Si ishte protesta sot?
Muçi: Si ditët e tjera. Siç është zakonisht në ditë jave, ka një bazë të konsoliduar protestuesish. Sa më shumë kalojnë orët, aq më shumë rritet pjesëmarrja.
Borakaj: Çfarë ka arritur protesta deri tani?
Muçi: Unë mendoj se protesta është një ngjarje e paprecedentë në 35 vitet e fundit, që një masë kaq e madhe protestuesish të dalë dhe të kërkojë dorëheqjen e Ramës, e në radhë të dytë të dalë kundër sistemit. Të ketë efektet e saj edhe në qytete të tjera të vendit, të ketë efekte edhe te shqiptarët në diasporë, te akademikët shqiptarë. Lista ka shkuar mbi 260 akademikë. Të ketë jehonë në PPE. Të gjitha këto, që kanë qenë një zinxhir ngjarjesh të nisura nga protesta, janë të paprecedenta.
Unë kam bindjen se do të arrihet dorëheqja e Ramës. Me dorëheqjen e tij do të arrihet një standard i ri, që kur populli është në shesh, qeveria dorëhiqet.





