Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK për kalimin në gjykim të çështjes penale në ngarkim të shtetasve Astrit Vladi dhe Eriona Daupaj.
Sipas dokumentit, i pandehuri Astrit Vladi do të përballet me akuzat për ndikim të paligjshëm dhe korrupsion në sistemin e drejtësisë.
Ndërkaq, mbi të pandehurën Eriona Daupaj rëndojnë disa akuza, përfshirë zbulimin e të dhënave sekrete dhe korrupsionin pasiv.
Dosja “Toyota Yaris” i referohet sekuestrimit të 3.4 milionë eurove të padeklaruara më 24 qershor 2018 në Portin e Durrësit. Paratë u gjetën të fshehura në automjetet e transportuara nga Belgjika me kamion. Çështja përfshin trafikun ndërkombëtar të parave, kalimin ilegal të kufirit dhe tentativat për korrupsion e ndikim të paligjshëm.
NJOFTIMI I PLOTË:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 03.04.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 26, të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve Astrit Vladi dhe Eriona Daupaj.”. 2. Në seancën e datës 25.06.2026 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Paulin Çera, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, me vendimin nr. 17/89, datë 25.06.2026, vendosi: 1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë.
Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimeve penale Nr. 26, datë 07.02.2024, në ngarkim të të pandehurve Astrit Vladi, akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, e kryer katër herë, parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi (1) e 25 (sipas përmbajtjes para ndryshime me ligjin nr.43/2021) dhe “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 319 e 25 të Kodit Penal dhe Eriona Daupaj, e akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer katër herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, të parashikuara nga nenet 245/1, paragrafi (2) e 25 (sipas përmbajtjes para ndryshime me ligjin nr. 43/2021); “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a paragrafi (3); “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer dy herë, parashikuar nga neni 319/ç të Kodit Penal; si dhe të procedimit penal Nr. 26/1/1, datë 18.07.2025, në ngarkim të të pandehurit Astrit Vladi, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi (1) të Kodit Penal (sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021).





