Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha zhvilloi ditën e sotme një vizitë zyrtare në Nikozia të Qipros.
Kjo vizitë sipas Ministrit, mbart një rëndësi të veçantë, pasi përkon me 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Qipros.
“Ky rast më jep gjithashtu kënaqësinë e veçantë – pavarësisht se pak ditë kanë mbetur – të festojmë së bashku suksesin e Presidencës Qipriote të Këshillit të Bashkimit Evropian, gjatë gjysmës së parë të këtij viti”, deklaroi Hoxha.
Ministri i Jashtëm u prit fillimisht nga Presidenti i Republikës, Nikos Christodoulides, në një takim që riafirmoi angazhimin e përbashkët për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh në sektorët kryesorë dhe avancimin e agjendës së përbashkët evropiane.
Ministri Hoxha përgëzoi Qipron për punën e shkëlqyer të kryer gjatë Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian duke e falënderuar për mbështetjen e palëkundur për procesin e zgjerimit të Unionit.
“Në një kohë pasigurie globale të shtuar dhe sfidash në rritje të sigurisë, Qiproja ka avancuar me sukses një agjendë ambicioze të fokusuar në ndërtimin e një Bashkimi Evropian më elastik, strategjikisht autonom dhe me vizion. Në këtë drejtim, shpreha mirënjohjen tonë për lidershipin, angazhimin e Qipros për procesin e zgjerimit, dhe në veçanti për rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, deklaroi Hoxha.
Vizita vijoi me pritjen nga Ministri i Punëve të Jashtme Costantinos Kombos, me të cilin u diskutua mbështetja e palëkundur e Qipros për perspektivën evropiane të Shqipërisë, që u dallua konkretisht gjatë përfundimit me sukses të Raportit të Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve (IBAR).
“Anëtarësimi në BE, përmes një procesi negociues të drejtë, të besueshëm dhe të bazuar në meritë, është objektivi ynë kryesor strategjik dhe nxitësi më i fortë për konsolidimin demokratik, transformimin institucional, modernizimin ekonomik dhe zhvillimin e qëndrueshëm”, theksoi Hoxha.
Të dy ministrat ranë dakord për më shumë bashkëpunim për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe të biznesit, duke përfshirë tregtinë, investimet, turizmin, arsimin dhe sektorë të tjerë me interes të ndërsjellë që mund të sjellin përfitime të prekshme për ekonomitë e të dy vendeve.
Gjatë një deklarate të përbashkët për shtyp me homologun qipriot, Hoxha theksoi se “ne presim me padurim fillimin e lidhjes direkte ajrore Nikozia-Tiranë, e cila do të kontribuojë në afrimin e dy vendeve dhe popujve tanë, duke lehtësuar turizmin, ndërveprimin e biznesit dhe kontaktet midis njerëzve”.
Nga Nikozia, Ministri Hoxha përsëriti qëndrimin, se njohja e pavarësisë së Kosovës nga ato vende evropiane që ende nuk e kanë bërë këtë shkon përtej aspektit të një çështjeje dypalëshe.
“Ajo lidhet gjithnjë e më shumë me sigurinë dhe stabilitetin e hapësirës sonë të përbashkët evropiane dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në parandalimin e ndikimeve të jashtme destabilizuese në rajon”, tha Ministri i Jashtëm.
Hoxha u prit edhe nga Presidentja e Dhomës së Përfaqësuesve, Annita Demetriou, në një takim me fokus
rolin e parlamenteve në avancimin e integrimit evropian dhe mënyrat për të intensifikuar bashkëpunimin ndërparlamentar, duke përfshirë shkëmbimet midis komisioneve, ndarjen e praktikave më të mira legjislative dhe mbështetjen e qeverisjes demokratike.





