Korça mirëpriti edhe këtë vit festivalin ndërkombëtar “Shpirti i Ballkanit”, një ngjarje kulturore tashmë e kthyer në traditë për qytetin, ku grupe artistike nga vende të ndryshme të rajonit sollën kostumografinë, veshjet popullore, etnografinë, vallet dhe këngët tradicionale të popujve të Ballkanit.
Koreografi i njohur Ali Beli theksoi se Ballkani, përtej nocionit gjeografik, përbën një hapësirë të përbashkët kulturore ku ngjashmëritë mes popujve janë të shumta.
“Ballkani është një nocion gjeografik, por në tërësinë e tij, sa i përket kulturës dhe traditës, ka shumë të përbashkëta. Për ne, ‘Shpirti i Ballkanit’ është dashuria që kemi ne dhe popujt e tjerë për trashëgiminë kulturore. Kostumografia nuk mund të themi se është e njëjtë, pasi secili vend ka veçantitë e veta, por vallet kanë shumë elementë të përbashkët. Pogonishten e kemi bashkë. Ritmi, shpirti dhe dinamika janë të ngjashme. Maqedonasit kërcejnë me të njëjtin temperament si ne, ashtu si edhe grekët me vallet e Kretës”, tha koerografi Ali Beli.
Drejtoresha e Qendrës së Artit dhe Kulturës, Blerta Belliu, vlerësoi festivalin si një mundësi të rëndësishme për promovimin e folklorit dhe turizmit në Korçë.
“Shpirti i Ballkanit’ është shpirti i folklorit. Në edicionin e tij të tetë, ai i sjell Korçës ngjyrat e bukura të Ballkanit, por njëkohësisht edhe turizëm. Për herë të parë, orkestra jonë simfonike bashkohet me orkestrën e Katerinit, duke sjellë së bashku muzikën greke dhe shqiptare. Dy shtete bashkë, një nga gjërat më të bukura që sjell ky festival”, tha Blerta Belliu, drejtoreshë e Qendrës së Artit dhe Kulturës.
Pjesëmarrësit e huaj u shprehën të impresionuar nga mikpritja korçare dhe atmosfera e krijuar gjatë festivalit.
“Është hera e dytë që vijmë në Korçë. E duam këtë qytet sepse ka ngjyrat e bashkëjetesës mes popujve. Kemi ardhur me veshjet tradicionale të ishujve grekë. Na pëlqen mënyra se si na trajtoni dhe kemi shumë gjëra të përbashkëta, siç është edhe Pogonishtja.”
“Vijmë nga Mali i Zi dhe është hera e parë që marrim pjesë. Kemi sjellë kostumet tradicionale të Podgoricës. Kjo eksperiencë po na lë një ndjesi shumë të bukur. Jemi vende të afërta dhe kemi shumë elementë të përbashkët, pasi vallet dhe kostumet tona ngjajnë me tuajat.”
Festivali “Shpirti i Ballkanit” mblodhi në Korçë per here te 8-te grupe artistike nga Mali i Zi, Greqia, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnja-Hercegovina, ndërsa grupet shqiptare performuan në pedonalen e qytetit, duke sjellë gëzim, ngjyra dhe atmosferë festive për banorët dhe turistët vendas dhe te huaj që vizitojnë Korçën.





