Një ngjarje tragjike ka ndodhur në New York, ku një grua 56-vjeçare me origjinë shqiptare humbi jetën pasi ra në një pusetë të hapur menjëherë pasi doli nga makina e saj.
Viktima është identifikuar si Donika Gocaj.
Ngjarja ndodhi të hënën në mbrëmje. Gruaja kishte parkuar automjetin e saj rreth orës 23:20.
Sipas hetimeve paraprake, sapo doli nga makina, ajo hodhi një hap dhe ra direkt në një pusetë pa kapak, rreth 3 metra të thellë. Autoritetet thanë se avulli dhe nxehtësia brenda kanalit i shkaktuan arrest kardiak.
Ajo u transportua me urgjencë në spital, por mjekët konstatuan vdekjen e saj.
Një dëshmitar okular, Carlton Wood, tha se e pa gjithë skenën teksa po shkonte në punë.
“Pashë një grua që doli nga makina dhe sapo hodhi një hap përpara, u zhduk. Nuk ishte e shpërqendruar dhe nuk po ecte në ndonjë zonë ndërtimi. Thjesht parkoi makinën dhe ra direkt në pusetë”, tregoi ai.
Sipas tij, ekipet e emergjencës mbërritën brenda pak minutash, por u deshën rreth 20 minuta për ta nxjerrë gruan nga puseta.
“Ajo bërtiste vazhdimisht: ‘Po vdes’”, tha dëshmitari.
Familjarët e viktimës thanë se janë të tronditur dhe kërkojnë përgjigje për mënyrën se si ndodhi tragjedia. Ata e përshkruan Doniken si një nënë dhe gjyshe të dashur.
Edhe zyra e kryetarit të bashkisë së New York-ut reagoi për ngjarjen, duke shprehur ngushëllime për familjen dhe duke premtuar hetim të plotë.
“Çdo pyetje duhet të marrë përgjigje, në mënyrë që asnjë qytetar tjetër të mos përjetojë një tragjedi të tillë”, thuhet në deklaratë.





