Këtë javë një marrëveshje e rëndësishme u nënshkrua mes grupit bankar Intesa Sanpaolo dhe Bankës Europiane të Investimeve, e cila në thelb ofron një program financimi prej 20 mln euro, për bizneset shqiptare.

Elena Balliu drejtore e departamentit të SME-ve në Intesa Sanpaolo Bank Albania gjatë një interviste me gazetaren Rajmonda Lajthia shpjegoi disa detaje nga kjo marrëveshje financimi.
“Kjo marrëveshje është pjesë e një programi më të gjerë, që në total arrin në 170 mln euro për vendet e rajonit. Shqipëria ishte i pari vend që u bë pjesë e përfitimit të programit i cili është në bashkëpunim edhe me BE-në. Kredibiliteti i grupit bankar për të përthithur këto fonde prej 20 mln euro për Shqipërinë, por edhe stadi në të cilin ndodhet ekonomia shqiptare e cila është e gatshme për zbatim të projekteve inovative janë arsyet pse u përzgjodh Shqipëria si vend i parë përfitues”, shpjegoi znj. Balliu.
Por pse ky program fokusohet të ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ?
“Ky kontingjent biznesi është zemra e ekonomisë shqiptare, janë motori që mbajnë gjallë konsumin dhe ndikojnë në zhvillimin ekonomik. Në Shqipëri 90 % e bizneseve janë të vogla dhe mesme ndaj dhe vëmendja ndaj tyre duhet të jetë edhe më e lartë. Nga ky program që do të jetë gati për zbatim brenda muajit, përfitues janë të gjithë bizneset që konsiderohen të vogla dhe të mesme, sipas përkufizimit ligjor vendas dhe europian”, tha Elena Balliu drejtore e departamentit të SME-ve në Intesa Sanpaolo Bank Albania.
Por kujdes, jo të gjitha planet e biznesit do të aprovohen
“Kjo marrëveshje ka një specifikë. Qëllimi është që financimi me kushte më të buta të përdoret nga biznesi për investime në teknologji, siguria informatike, produkte dhe procese inovative. Këto lloj investimesh do të përbëjnë 70% të fondeve të programit. Ndërsa 30% do t’i alokohet projekteve për mbrojtjen mjedisore apo green ekonomi”, përfundoi Balliu.
Kjo marrëveshje e bankës “Intesa Sanpaolo” konfirmon rolin e saj në zhvillimin ekonomik si një partner kyç i biznesit shqiptar.
/vizionplus.tv





