Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi deklaroi se Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar si shtet anëtar i NATO-s, duke marrë përgjegjësitë e saj për sigurinë rajonale dhe më gjerë, si dhe duke vijuar modernizimin e Forcave të Armatosura dhe zhvillimin e industrisë ushtarake vendase.
Në një konferencë për media, Nufi theksoi edhe masat e marra për përballimin e emergjencave civile gjatë sezonit veror, si dhe forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike.
“Shqipëria, e angazhuar plotësisht si shtet aleat në NATO me përgjegjësitë e saj drejt sigurisë rajonale e më gjerë, si dhe e përkushtuar në modernizimin e vazhdueshëm të Forcave tona të Armatosura, zhvillojmë më tej industrinë ushtarake dhe bëhemi gati me masa të qarta në përballimin e emergjencave civile përgjatë sezonit veror”, tha Nufi.
Ai shtoi se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes kibernetike është në nivel të lartë, duke nënvizuar gatishmërinë e strukturave shqiptare për t’u përballur me sulme të mundshme.
“Kemi marrë masa të mëdha për mbrojtjen kibernetike. Bashkëpunimi që kemi me SHBA-në, veçanërisht në komandën kibernetike, është shumë i lartë. Jemi të gatshëm të përballojmë çdo sulm kibernetik. A jemi imunë ndaj çdo sulmi? Nuk e besoj, por niveli i përgatitjes së strukturave tona është shumë i lartë”, tha ministri.





