Shqipëria ka përfituar deri më tani 164 milionë euro nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, që përbën edhe instrumentin më të rëndësishëm financiar nga Bashkimi Evropian. Sipas këtij plani, vendi ynë pritet të përfitojë në total rreth 922 milionë euro, teksa deri më tani ka mundur të përthithë rreth 17% të kësaj shume.
“Bazohet në të dhënat dhe performancën e institucioneve shqiptare në përmbushjen e 31 reformave të ndara në 143 masa. Sot, mbi bazën e periudhës së parafinancimit dhe raportimit të parë, ku Shqipëria ka raportuar 41 masa nga të cilat 21 janë të realizuara, vendi ynë ka përthithur 164 milionë euro dhe renditet si i pari në rajon në përmbushjen e këtyre reformave, tha Eridana Çano, drejtoresha e SASPAC
Së shpejti, vendi do të dorëzojë një raport të dytë në zyrat e BE-së për masat e reja që janë përmbushur, ku pritet që të disbursohet një shumë më e lartë fondesh deri në afatin përfundimtar.
“Afati i fundit është 31 dhjetori i vitit 2028, që do të thotë se reformat duhet të përmbyllen para 31 dhjetorit të vitit 2027, me një zgjatje të mundshme që mund të shkojë deri në vitin 2028”, shtoi Çano.
Plani i Rritjes në Ballkanin Perëndimor është një paketë financiare dhe reformash e ndërmarrë nga Bashkimi Evropian për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik të vendeve përfituese, duke i afruar ato me standardet e Bashkimit Evropian. Në total janë 6 miliardë euro që do të alokohen për këto vende, ku 2 miliardë do të jenë në formën e granteve dhe 4 miliardë si kredi të buta.




