Në fshatin Kallamas në Tumenec u zhvillua ceremonia përkujtimore pranë monumentit kushtuar heronjve maqedonas të Luftës së Dytë Botërore, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
“Të bashkohemi rreth interesave kombëtare, rreth së ardhmes së fëmijëve tanë, rreth respektit për historinë tonë dhe për dinjitetin e popullit.Mund të kemi mendime të ndryshme, bindje të ndryshme politike dhe këndvështrime të ndryshme, por kur bëhet fjalë për atdheun, për interesat kombëtare dhe për të ardhmen e popullit maqedonas, duhet të jemi bashkë”, tha Mickoski.
Mickoski vlerësoi gjithashtu komunitetin maqedonas në Shqipëri, duke e cilësuar si pjesë të pandashme të trungut kombëtar maqedonas .
“Maqedonasit në Shqipëri janë pjesë e pandashme e trungut kombëtar maqedonas dhe njëkohësisht qytetarë besnikë të Shqipërisë. Përkushtimi dhe qëndrueshmëria juaj meritojnë respekt. Ju e ruajtët emrin maqedonas, gjuhën dhe traditën edhe në kohët më të vështira”, shtoi Mickoski.
Por vizita e kryeministrit Miscovcki është shoqëruar me polemika dhe pakënaqësi nga shqiptarët e pranishëm. Në ceremoni është ekzekutuar vetëm himni i Maqedonisë së Veriut dhe jo ai shqiptar e po ashtu fjala e Mickoskit nuk është përkthyer në shqip.




