SHBA dhe Irani duket se po shkojnë drejt një marrëveshjeje të përkohshme për të ndaluar luftën, sipas burimeve dhe zyrtarëve që folën për Reuters. Të dyja palët po punojnë mbi një plan-kornizë që synon ndalimin e armiqësive, pa zgjidhur megjithatë çështjet më të rëndësishme që i ndajnë.
Sipas informacioneve, marrëveshja nuk do të jetë një traktat i plotë paqeje, por një memorandum mirëkuptimi afatshkurtër, çka tregon se diferencat mes Uashingtonit dhe Teheranit mbeten të thella. Çështjet kryesore lidhen me programin bërthamor iranian, rezervat e uraniumit të pasuruar dhe kohëzgjatjen e pezullimit të aktiviteteve bërthamore të Iranit.
Tre fazat e planit
Burimet bëjnë të ditur se plani i propozuar përfshin tre etapa kryesore:
- shpalljen zyrtare të përfundimit të konfliktit,
- zgjidhjen e krizës në Ngushticën e Hormuzit,
- dhe një periudhë 30-ditore negociatash për një marrëveshje më të gjerë.
Një zyrtar i lartë pakistanez, deklaroi për Reuters se prioriteti kryesor është “të shpallet fundi i përhershëm i luftës”, ndërsa çështjet e tjera të diskutohen më vonë.
Sipas burimeve diplomatike, memorandumi njëfaqësh për ndalimin e konfliktit është pranë finalizimit, edhe pse ende ekzistojnë boshllëqe të rëndësishme mes palëve.
Trump optimist, Irani më i rezervuar
Presidenti amerikan Donald Trump u shfaq optimist për ecurinë e negociatave. Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, ai deklaroi se “ata duan të arrijnë një marrëveshje” dhe se ekziston një mundësi e madhe që gjithçka të përfundojë shpejt.
Megjithatë, drafti aktual lë të hapura disa çështje kyçe, si kërkesa amerikane për pezullimin e plotë të programit bërthamor iranian dhe garantimin e lundrimit të lirë në Ngushticën e Hormuzit.
Nga ana tjetër, reagimet në Teheran kanë qenë më të kujdesshme. Ministria e Jashtme iraniane deklaroi se do të përgjigjet “në kohën e duhur”, ndërsa deputeti Ebrahim Rezaei e cilësoi propozimin si “më shumë një listë dëshirash amerikane sesa një marrëveshje reale”.
Edhe kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ironizoi lajmet për një marrëveshje të afërt, duke i konsideruar ato si pjesë të një fushate propagandistike të Uashingtonit.
Tregjet reagojnë pozitivisht
Lajmet për një marrëveshje të mundshme ndikuan menjëherë në tregjet ndërkombëtare. Çmimet e naftës ranë ndjeshëm. Nafta Brent u ul me 11% dhe çmimi shkoi 98 dollarëve për fuci.
Ndërkohë, bursat ndërkombëtare shënuan rritje të konsiderueshme, ndërsa investitorët u treguan më optimistë për një ulje të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe rikthimin e normalitetit në furnizimet energjetike.
Çështjet që mbeten të hapura
Edhe nëse arrihet një marrëveshje paraprake, shumë mosmarrëveshje mbeten pa zgjidhje. Burime pranë negociatave thonë se bisedimet nga pala amerikane po drejtohen nga i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Nëse palët bien dakord mbi draftin fillestar, do të nisë një periudhë intensive 30-ditore negociatash për një marrëveshje të plotë.
Memorandumi aktual nuk përfshin disa nga kërkesat tradicionale të SHBA-së, si kufizimet mbi programin raketor iranian apo ndërprerjen e mbështetjes për grupet e armatosura pro-iraniane në Lindjen e Mesme.
Gjithashtu, mbetet e paqartë çështja e rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit, të cilat sipas vlerësimeve kalojnë 400 kilogramë dhe konsiderohen një nga shqetësimet kryesore të Uashingtonit.





