Drejtori i Policisë së Shtetit Skënder Hita ka prezantuar ndryshimet e reja që do të vihen në zbatim për informimin e qytetarëve.
Në një deklaratë për media, Hita tha se qytetarët kanë nevojë të informohen në mënyrë të saktë, ndaj do të zbatohet një praktikë e re, e njëjtë me praktikën europiane.
Drejtorët e komisariateve do të dalin një herë në muaj për të bërë bilancet. Edhe në rast se do të ketë ngjarje kriminale, detajet do të bëhen të ditura për mediat nga drejtorët e policisë nga vendngjarja.
Fjala e Skënder Hitës:
I kam pritur dhe dëgjuar këto shqetësime me shumë seriozitet dhe përgjegjësi, kam kryer konsultime me specialistë të fushës, kam komunikuar me shumë nga homologët e mi në Ballkan dhe Europë, dhe më rezulton se mënyra se si veprojmë ndikon negativisht në shoqëri dhe në jetën e përditshme të qytetarëve.
Nisur nga sa më lart, Policia e Shtetit do të zbatojë një formë të re komunikimi, më të përgjegjshme, më të strukturuar dhe në përputhje me modelet më të mira evropiane.
Dua ta theksoj qartë, kjo nuk është një tërheqje nga transparenca, përkundrazi, është një hap përpara drejt një transparence më cilësore dhe më profesionale, sepse ne besojmë se qytetarët nuk kanë nevojë vetëm për më shumë informacion, por për informacion të saktë, të verifikuar dhe të përgjegjshëm, për informacion të matur që të mos ndikojë te perceptimi negativ dhe te kriminalizimi i shoqërisë.
Çfarë ndryshon konkretisht me formën e re të komunikimit?
Së pari, të gjitha të dhënat statistikore mujore dhe vjetore mbi kriminalitetin dhe sigurinë publike do të jenë të aksesueshme në mënyrë të plotë në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit.
Së dyti, për ngjarjet në dinamikë, titullarët e Policisë në vendngjarje do të japin informacionin e nevojshëm për mediat dhe publikun, në kohë reale dhe të shoqëruar dhe me informacionin paraprak nga zëdhënësi i Policisë. Kjo praktikë tashmë ka nisur dhe do të konsolidohet më tej.
Së treti, drejtuesit e drejtorive vendore të Policisë, me stafet e tyre, do të zhvillojnë konferenca mujore për të bërë transparente punën, rezultatet dhe sfidat në çdo qark.
Së katërti, për ngjarje me impakt të lartë publik apo operacione të rëndësishme policore, Policia e Shtetit do të informojë në kohë dhe në mënyrë të plotë, nëpërmjet kanaleve zyrtare.
Pse po e bëjmë këtë ndryshim?
Mbingarkesa me lajme kriminale, shpesh të dhëna në mënyrë të fragmentuar apo të nxituar, krijon një ndjenjë pasigurie që jo gjithmonë pasqyron realitetin. Informacioni i pakonfirmuar dëmton jo vetëm hetimet, por edhe besimin e qytetarëve te institucionet.
Policia e Shtetit nuk është vetëm kronikë krimi, por ajo është çdo ditë në terren për parandalimin, për bashkëpunimin me komunitetin, për takimet me këshillat e sigurisë, si dhe për edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve.
Këto janë vlera që duhet të komunikohen po aq fort sa edhe lufta kundër krimit.
Të nderuar përfaqësues të medias, të nderuar qytetarë,
Kjo konferencë nuk duhet parë thjesht si një komunikim periodik me median, por si pjesë e një standardi të ri institucional, ku informimi publik do të jetë më i plotë, më i drejtpërdrejtë dhe më pranë shqetësimeve reale të qytetarëve. Ne jemi të vetëdijshëm se sfidat përballë rendit dhe sigurisë janë të shumta, por po aq i vendosur është edhe angazhimi ynë për t’i përballuar ato me seriozitet dhe profesionalizëm.
Qëllimi im është i qartë, të ndërtojmë një komunikim që informon, por nuk alarmon, që është transparent dhe i përgjegjshëm, që forcon besimin dhe jo pasigurinë.
Policia e Shtetit mbetet plotësisht transparente me qytetarët, por njëkohësisht më e përgjegjshme në mënyrën se si komunikon.
Qëllimi ynë nuk është thjesht të informojmë më shumë, por të informojmë më drejt, më saktë dhe gjithmonë në interes të sigurisë së çdo qytetari.
Në këtë frymë bashkëpunimi dhe transparence, jam i hapur për pyetje për çështje të cilat kanë afektuar opinionin publik gjatë muajit që lamë pas.





