Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të vendit dhe në sallë ndodheshin vetëm 64 deputetë të shumicës, pasi deputetët e opozitës bojkotuan sërish seancën.
Partia e kryeministrit Albin Kurti ka propozuar dy kandidate të reja për presidente, Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën, pasi dy kandidatët e LVV-së për president të propozuar më herët, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku, tërhoqën zyrtarisht kandidaturat e tyre.
Vetëm me prezencën e shumicës, Kuvendi nisi votimin e dy kandidaturave dhe nga ky votim 1 votë rezultoi e pavlefshme, ndërsa 63 vota të tjera ishin pro kandidaturës së Feride Rushitit, ndërsa Hoxha mori 0 vota.
Rushiti është themeluese dhe udhëheqëse e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), e cila së bashku me qendrën e saj më 2025 u nominua për Çmimin Nobel për Paqe nga një ligjvënës suedez. Më 2018, Rushiti u nderua me Çmim për Guximin e Gruas të ndarë nga sekretari amerikan i Shtetit.
Hatixhe Hoxha është aktiviste për të drejtat e njeriut dhe në të kaluarën ka qenë ligjvënëse në Kuvendin e Kosovës. Ajo është drejtoreshë e shoqatës AUTIZMI. Deri më 2007, për dy mandate, Hatixhe Hoxha ishte deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, ndërkaq LVV-së i ishte bashkuar më 2010, parti me të cilën kishte garuar për deputete. Ajo po ashtu ka qenë pedagoge në Universitetin e Prishtinës më 2002-2003, në Fakultetin e Arteve.
Deputetët kanë afat deri më 28 prill që të zgjedhin kreun e ri të shtetit, në të kundërt vendi shkon në zgjedhje, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.





