Të huajt që do të vizitojnë vendin këtë sezon veror konsiderohen si klientë potencialë për blerjen e pronave, sidomos në bregdet. Ekspertët e tregut imobiliar vërejnë se shumë prej tyre, nga pasiguria për të investuar në Lindjen e Mesme, mudën të zgjedhin Shqipërinë.
“Duhet të kemi parasysh që sa herë ka turbulenca ndërkombëtare, si në rastin e konflikteve në Lindjen e Mesme, aktorët ekonomikë orientohen drejt tregjeve më të stabilizuara. Pra, ata që kanë pasur interes për të investuar në Lindjen e Mesme, konkretisht në Dubai, po orientohen drejt tregjeve që kërkojnë më pak kapitale dhe ofrojnë kthime më të shpejta, siç është edhe rasti i Shqipërisë”, tha Reinaldo Pipiria, Shoqata e Pasurive të Paluajtshme
Tashmë, jo vetëm jugu i vendit, siç ka qenë tradicionalisht, por e gjithë vija bregdetare është në fokusin e investitorëve të huaj.“Investitorët që vijnë nga zona turistike priren të orientohen drejt zonave turistike, si bregdeti i Shqipërisë, duke përfshirë edhe zonën e Veriut. Po dalin projekte të reja çdo ditë, ku një fokus i veçantë po i jepet zonës së Veriut, duke e bërë tashmë të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë të preferuar për të huajt”, shtoi Pipiria.
Me rregullin bazë të ekonomisë, kërkesë–ofertë, edhe çmimet për metër katror pritet të rriten sërish këtë vit.
“Jemi duke ecur me ritme të shpejta. Ne do ta krahasoja pak a shumë me atë të Malit të Zi, ku metri katror mund të arrijë deri në 14 mijë euro, ndërsa në bregdetin shqiptar varion nga 4 deri në 7 mijë euro, në varësi të projektit”, tha Pipiria.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2025 u investuan rreth 560 milionë euro nga të huajt në sektorin e pasurive të paluajtshme, duke shënuar një rritje me rreth 40% krahasuar me vitin 2024 dhe duke e bërë këtë sektor ndër më të preferuarit për investim.





