Një prej socialistëve me më shumë eksperiencë dhe një prej deputetëve më të votuar në zgjedhjet e vitit 2025, Erion Braçe ka vendosur që përmes një mesazhi në rrjetet sociale të sqarojë disa prej pikëpyetjeve që kanë shoqëruar shpalljen e kandidaturës së tij për Bashkinë e Tiranës.
Me sloganin “Tirana e të gjithëve”, Braçe ka qartësuar disa çështje; e para që interesi i tij janë parimet e shërbimi ndaj qytetit; e dyta atë nuk e ka nxjerrë kryetari i PS Edi Rama të kandidojë dhe e treta vetë Braçe nuk ka folur për kandidimin më kryetarin e partisë së tij Edi Ramës.
“Shikoni, po e vërtetë është, nuk kam folur me Edi Ramën dhe nuk është mungesë respekti për të. Jo, zero! Përkundrazi unë e respektoj Edi Ramën për atë që është; kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, i partisë time. I pari mes të barabartëve në një parti ku anëtarët, simpatizantët, por edhe më gjerë se sa kaq, të majtët në tërësi zgjedhin me votë njerëzit që kjo parti dëshiron që ta përfaqësojnë dhe rrugën në të cilën të gjithë bashkë duhet të ecim”, tha Braçe.
Braçe e shoqëroi kërkesën e tij për proces brenda Partisë Socialiste me foton e kopertinës së gazetës “Zëri i Popullit”, e cila në gushtin e vitit 2005 botoi një intervistë të Edi Ramës pak muaj para se të bëhej kryetar i PS.
Në këtë intervistë, Edi Rama theksonte se socialistët duhet të zgjedhin me votë rrugën dhe njerëzit, një parim, që Braçe sot e sjell në vëmendje duke theksuar nevojën e një procesi brenda partisë më të madhe të vendit.
“Procesin që mungon, u bë disa kohë që në Partinë Socialiste ky proces nuk është dhe është zëvendësuar me njoftime që vendosen kohë pas kohe në murin e Partisë Socialiste që herë është apo funksionon si Kryesi apo herë është apo funksionon si asamble e kështu me radhë. Unë vazhdoj ti qëndroj të njëjtave parime në këtë parti veçanërisht atyre nga gushti i 2005 dhe natyrisht në funksion të tyre kam ofruar veten time”, tha Braçe.
Erion Braçe deklaroi për herë të parë se dëshiron të garojë për Bashkinë e Tiranës në një mbledhje të Asamblesë së PS në njësinë numër 5, pak javë më parë. Por deri më tani kjo mbetet ambicja e tij personale, pasi Partia Socialiste ende nuk e ka shpallur zyrtarisht kandidatin me të cilin do të kërkojë fitoren në kryeqytet vitin e ardhshëm.





