Kryetari i PD-së, Sali Berisha, komentoi djegien e pallatit në Tiranë dy ditë më parë, duke bërë përgjegjës, përveç ndërtuesit, edhe kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për ngjarjen e rëndë, Berisha deklaroi se pallati është ndërtuar në shkelje të rregullave të urbanistikës.
“Tani i them Ramës unë, avokatit të Armando Lilos: po në qoftë se Armando Lilo nuk kishte faj, atëherë pse ia mbathi? Pse iku nga drejtësia, meqë ti e nxjerr të pafajshëm? Është Rama i fajshëm, është Erion Veliaj i fajshëm. Janë këta që kanë shkatërruar me betonizimin e Tiranës.”
Berisha komentoi edhe gjyqin që po zhvillohet ndaj tij dhe thirrjen si dëshmitar të kryeministrit Edi Rama.
“Do të jemi ballë përballë aty dhe i thoni të bëhet burrë, të mos kërkojë seancë pa mediat, të kërkojë mediat aty kombëtare dhe ndërkombëtare dhe të vijnë të shohin shqiptarët se cili është Edi Rama në atë aferë, çfarë korrupsioni, çfarë akte korruptive të mëdha ka kryer ai, duke ndryshuar destinacion pa asnjë kërkesë nga pronarët, por vetëm për llogari të xhepit të tij dhe enturazhit të tij.”
Ish-kryeministri Sali Berisha po gjykohet për akuzën e korrupsionit në çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në favor të dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi.
/vizionplus.tv





