Në seancën e kësaj të enjteje të kuvendit të Kosovës kryeministri Albin Kurti ka bërë thirrje për bashkëpunim ndërpartiak për zgjedhjen e presidentit të ri.
“Tani na duhet të punojmë sa më shumë që të mundemi së bashku, e jo të kemi bllokada të reja. Bllokadat, grackat, kleçkat, taktikat nuk janë mendësi e zhvillimit, por e ngecjes. Koha që të ecim përpara dhe të jemi në krye të detyrës”, tha Kurti.
Por Kurti është përballur me kritikat e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës-së, Ramush Haradinaj, i cili e ka quajtur mashtrues.
“As nuk mund të fshiheni pas këtij ligji tavan, as asgjë, oligarkë tuaj kryeministër janë duke shitur dhe blerë energji dhe po ju shtohen kompanitë përditë e më shumë njerëzve të afërm të juaj. Duhet të ketë një korrektësi në këtë rast. E dyta thotë ‘po financohen mediat me thasë’, dëgjoni çka po thotë ky, dëgjoje mirë çfarë po thotë ‘po financohen mediat me thasë’. Ky shpenzon më së shumti pare duke ushqyer zagarë me i fy shqiptarët, me i fy shqiptarët”, u shpreh Haradinaj.
Më herët, para seancës, kryetari i AAK-së tha se partia në pushtet po e zvarrit procesin e zgjedhjes së presidentit qëllimisht, pavarësisht se afati kushtetues po shkon drejt fundit.
Javën e kaluar Gjykata Kushtetuese u dha ligjvënësve 34 ditë kohë për të zgjedhur kreun e shtetit, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.





