Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka vendosur që këtë vit të mos jepet naftë falas për fermerët, por skema të jetë e shpërndarë në drejtime të tjera.
Fermerët e Matit thonë se ky vendim është penalizues për ata që nuk kanë 3 hektarë tokë bujqësore. Po ashtu ata shprehen se duhet ndërhyrë tek taksa e naftës që bujqit të mos tatohen njëlloj si të tjerët për çdo litër të harxhuar.
“Janë ca ligje që i bëjnë ata që nuk e dinë ku i bie fshati, unë kam lëruar 3 hektare tokë dhe kostoja ka qenë dyfish shteti nuk ka ndërhyrë fare”, tha Ilir Çeliku, fermer.
“E pamundur me këtë skeme, nuk e punojmë dot tokën kështu”, shtoi Nazmi Haxha, fermer.
Për ekspertët e bujqësisë kjo është një tjetër goditje e rëndë për sektorin, duke marrë shkas edhe nga çmimi aktual i naftës. Sipas tyre shteti duhet të ndërhyjë duke ulur akcizën e karburantit dhe TVSH-të për imputet bujqësore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt tek fermerët.
“Ulja e akcizes dhe imputet, nuk ka pse rriten plehrat kimikë, se nuk e ndihmon fermeret. 50 milionë euro janë 2 km rrugë , lëri pa bërë ato dhe ndihmo fermerët”, theksoi Lush Susaj, profesor i Vreshtarisë dhe Ampelografisë, UBT.
Rritja e çmimit të karburanteve ka ndikuar direkt në uljen drastike të sipërfaqes së tokës së punuar për këtë sezon pranveror në të gjithë qarkun Dibër./vizionplus.tv





